Thursday, April 11, 2013

JO TALLJES ME FENË E ALLAHUT


Liria e shprehjes, siç quhet sot, ka bërë që të përhapen shumë fenomene të cilët janë në kundërshtim me natyrshmërinë e njeriut dhe me logjikën e shëndoshë. Prej këtyre gjërave, e cila ndoshta është edhe më e rrezikshmja është tallja me fenë e Allahut, qoftë kjo në mënyrë individuale apo në mënyrë të përbashkët.
Kur shohim dikënd i cili e madhëron fenë e Allahut, i bindet Krijuesit të tij dhe çdo gjë që e bën e bën në përputhshmëri me fenë e Zotit dhe natyershmërinë e njeriut, themi për këtë person se ky njeri është besimtar i nënshtruar ndaj urdhërave të Allahut, thotë Allahu:
((فَلَا وَرَبِّكَ لَا يُؤْمِنُونَ حَتَّى يُحَكِّمُوكَ فِيمَا شَجَرَ بَيْنَهُمْ ثُمَّ لَا يَجِدُوا فِي أَنْفُسِهِمْ حَرَجًا مِمَّا قَضَيْتَ وَيُسَلِّمُوا تَسْلِيمًا))
Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe derisa të mos binden sinqerisht.[1] Poashtu thotë Allahu:
((وَمَا كَانَ لِمُؤْمِنٍ وَلَا مُؤْمِنَةٍ إِذَا قَضَى اللهُ وَرَسُولُهُ أَمْرًا أَنْ يَكُونَ لَهُمُ الخِيَرَةُ مِنْ أَمْرِهِمْ))
“Kur All-llahu ka vendosur për një çështje, ose i dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare. E kush e kundërshton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës.”[2] Këta janë besimtarët, madhërues të fesë së Allahut dhe të urdhërave të Zotit të tyre të cilët kur ndëgjojnë ndonjë urdhër thojnë:
((سَمِعْنَا وَأَطَعْنَا غُفْرَانَكَ))
“…dhe thanë: “Dëgjuam dhe respektuam. Kërkojmë faljen tënde o Zoti ynë”[3] dhe nuk janë si jehuditë dhe vëllezërit e tyre të cilët thanë:
((سَمِعْنَا وَعَصَيْنَا))
“Dëgjuam dhe nuk respektuam (kundërshtuam)”[4], Allahu na ruajt nga ky devijim.
Nëse themi se madhërimi i fesë së Allahut dhe frika nga Allahu janë argument për Imanin e një njeriu, thotë Allahu:
((إِنَّمَا المُؤْمِنُونَ الَّذِينَ إِذَا ذُكِرَ اللَّهُ وَجِلَتْ قُلُوبُهُمْ))
“E, besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, të të cilëve kur përmendet All-llahu u rrënqethen zemrat e tyre”[5], nëse kjo është Iman dhe besim, atëherë medoemos që tallja me fenë e Krijuesit, me të Dërguarin e Tij dhe me besimtarët e mirë të jetë e kundërta e kësaj, d.m.th kufr dhe mosbesim, Allahu na ruajt.
Si mundet që një krijesë e dobët, e cila pretendon se ka intelekt që e largon prej të keqes dhe se ka logjik me të cilën mendon, të bëj një vepër që e hidhëron Krijuesin e tij edhe atë për arsyet më të ulta, për tu qeshur apo për tu zbavitur ne llogari të Krijuesit dhe fesë së Tij, qoftë i lartësuar Allahu prej asaj që ia përshkruajnë zullumqarët dhe mushrikinët. Thotë Pejgamberi (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të): ((وإن الرجل لَيتكلَّمُ بالكلمة، ما يرى بها بأسًا، يهوي بها في النار سبعين خريفًا))
Ndoshta njeriu thotë diçka, nuk i jep aspak rëndësi dhe kjo fjalë e fut në zjarr 70 vitë.”[6]
Tallja me fenë e Allahut është prej shenjave më të spikatura të munafikëve dhe armiqëve të fesë së Allahut, si mundet dikush që pretendon se e don Allahun dhe fenë e Tij, pastaj çdoherë që i jepet rasti të tallet me Të apo me diç nga feja e Tij, ai e shfrytëzon këtë rast.
Libri i Allahut, Kur’ani ka treguar gjendjen e këtij lloji të njerëzve, të cilët nuk e respektojnë Krijuesin e tyre, mirëpo njëkohsisht pretendojnë se i respektojnë krijesat dhe mendimet e tyre, SubhanAllah, me të vërtetë kjo është dyftyrësi e qartë, na ka treguar Allahu për këta kriminel në shumë vende të Librit të Tij, bile e ka bërë si shenjë të nifakut talljen me besimtarët, thotë Allahu:
((الَّذِينَ يَلْمِزُونَ المُطَّوِّعِينَ مِنَ المُؤْمِنِينَ فِي الصَّدَقَاتِ وَالَّذِينَ لَا يَجِدُونَ إِلَّا جُهْدَهُمْ فَيَسْخَرُونَ مِنْهُمْ سَخِرَ اللَّهُ مِنْهُمْ وَلَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ))
Ata (hipokritë) që i përqeshnin besimtarët, që japin lëmoshë, i përqeshin edhe ata të cilët nuk kanë më shumë se çka është e domosdoshme për jetesën e tyre, e njëkohësisht tallen me ta, All-llahu u dha shpërblimin e talljeve të tyre – dënimin më të rëndë.”[7] dhe për shkak të veprës së tyre të shëmtuar Allahu i ka quajtur kriminel:
((إِنَّ الَّذِينَ أَجْرَمُوا كَانُوا مِنَ الَّذِينَ آمَنُوا يَضْحَكُونَ))
“Ata, kriminelët ishin që i përqeshnin ata që besuan.”[8] Për këtë krim të madh dhe për shkak të kësaj veprë të shëmtuar, Allahu na ka ndaluar që të rijmë në një vend ku tallet dikush me Allahun, fenë e Tij apo Dërguarin e Tij, thotë Allahu:
((وَقَدْ نَزَّلَ عَلَيْكُمْ فِي الكِتَابِ أَنْ إِذَا سَمِعْتُمْ آيَاتِ اللهِ يُكْفَرُ بِهَا وَيُسْتَهْزَأُ بِهَا فَلَا تَقْعُدُوا مَعَهُمْ حَتَّى يَخُوضُوا فِي حَدِيثٍ غَيْرِهِ))
“Juve u është shpallur në librin (Kur’anin) që, kur të dëgjoni se bëhet kufr në ajetet e  All-llahut dhe bëhet tallje me to, mos rrini me ata derisa të mos hyjnë në bisedë tjetër.[9]
Doli i Dërguari i Allahut (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) në betejën e Tebuk-it dhe me të dolën disa, të cilët gjatë rrugës u tallën me shokët e Pejgamberit (Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) dhe treguan mosrespekt ndaj fesë së Allahut dhe ndaj të Dërguarit të Tij, andaj zbriti Allahu këta ajete:
((وَلَئِنْ سَأَلْتَهُمْ لَيَقُولُنَّ إِنَّمَا كُنَّا نَخُوضُ وَنَلْعَبُ قُلْ أَبِاللَّهِ وَآيَاتِهِ وَرَسُولِهِ كُنْتُمْ تَسْتَهْزِئُونَ ç لَا تَعْتَذِرُوا قَدْ كَفَرْتُمْ بَعْدَ إِيمَانِكُمْ))
“E nëse i pyet ti ata (përse tallen), do të thonë: “Ne vetëm kemi luajtur dhe jemi dëfryer”. Thuaj: “A me All-llahun, librin dhe të dërguarin e Tij talleni?” Mos kërkoni fare ndjesë, ju pasiqë besuat, keni bërë kufr.”[10]
Për këtë shkak dijetarët Islam janë të pajtimit se tallja me Allahun, me fenë e Tij, të Dërguarin e Tij apo me ndonjë simbol fetar, se është vepër kufri e cila e nxjer njeriun nga feja totalisht, thotë Ibn Hazmi (Allahu e mëshiroftë): “Dihet nga tekstet (fetare) se ai i cili tallet me Allahun, me ndonjë melek prej melekëve, me ndonjë pejgamber prej pejgamberëve, me ndonjë ajet prej ajeteve, me ndonjë detyrë prej detyrave (fetare) – krejt këta janë prej ajeteve të Allahut – kush tallet me diçka prej këtyre gjërave pasi që i ka ardhur argumenti (i kanë ardhur argumentet fetare), është kafir (mosbesimtar).
Kur themi kafir, nuk është qëllimi ynë ta cilësojmë këtë njeri me këtë cilësi vetëm për shkak se ne duam ashtu, por se kjo është dispozitë e Allahut e cila ska të bëj me epshin e asnjërit prej nesh, por duam që njerëzit të friksohen prej kërcënimit të Allahut dhe të marrin mësim prej atyre që kanë qenë para nesh dhe se nuk është kjo vepër ndaj së cilës ne mundet t’i mbyllim sytë dhe veshët tanë. Por duhet ditur se nëse njeriu pendohet sinqerisht, Allahu e pranon pendimin dhe keqardhjen e robërve, sepse Ai është më i mëshirshmi dhe që më së shumti fal.
Ka shumë shkaqe të cilat e çojnë njeriun të tallet me fenë e Allahut, si p.sh:
1-      Urrejtja ndaj njerëzve të mirë, siç kanë thënë të parët e tyre:
((إِنَّهُمْ أُنَاسٌ يَتَطَهَّرُونَ))
“…ata janë njerëz që pastrohen”[11], shih se si gjëjën e mirë, në këtë rast, pastrimin, e kanë bërë mjet për tu tallur, jo për diçka, por vetëm se i urrenin besimtarët dhe njerëzit e mire, sepse a ka kush që mund të tallet me ne, vetëm se pastrohemi?!
2-      Ambicia për tu bërë njeriu i njohur edhe nëse kjo bëhet ne llogari të fesë dhe Zotit të kësaj feje.
3-      Pasimi i verbër i armiqve të Allahut, siç janë ata të cilët thojnë se kjo fe e përkryer nuk është adekuate për kohën dhe vendin në të cilin jetojmë, siç thanë të parët e tyre krishterë për krishterimin në Europë gjatë kohës së Renesancës. Dhe në qoftë se hynin në vrimën e hardhucës dhe të miut këta do t’i pasonin, Allahu na ruajt!
4-      Kryelartësia dhe vetëpëlqimi, kur kjo sëmundje e kaplon zemrën, njeriu e refuzon të vërtetën edhe nëse e sheh qartë me sytë dhe zemrën e tij.
5-      Mundohet që t’i bën njerëzit të qeshin, siç kanë thënë: “Ne vetëm kemi luajtur dhe jemi dëfryer”. Njeriu përmend Xhennetin, Xhehennemin, melekët e Allahut dhe Ditën e Gjykimit duke ua caktuar njerëzve vendet në zjarr apo parajsë, me qëllim të qeshin të tjerët dhe me qëllim që takimi të jetë sa më interesantë dhe askush prej atyre që janë prezent nuk çohet nga ai vend që të largohet, mos flasim që të kundërshton!? A ortak i Allahut është ky njeri, që ai tua cakton njerëzve vendet në Ahiret, sipas epshit të tij dhe sipas logjikës së tij të sëmurë?! Çfarë keni, si po gjykoni?Allahu është Gjykatësi i vetëm i Ahiretit dhe Ai subhaneh është gjykatësi më i mirë dhe më i drejtë. Çfarë e fut njeriun në Xhennet nëse nuk e shtijnë gjërat të cilat ia ka urdhëruar Fuqiploti subhaneh, a tallja me dinin e Tij do të na shtijë në Xhennet apo të qëshurit bashk me ata që tallen?! O Allah mos na merr në përgjegjësi për atë që e bëjnë injorantët! Thotë Allahu për ata që ndëgjojnë kur dikush tallet me fenë e Allahut dhe nuk e qortojnë këtë vepër apo nuk ngriten nga ai vend:
((فَلَا تَقْعُدُوا مَعَهُمْ حَتَّىٰ يَخُوضُوا فِي حَدِيثٍ غَيْرِهِ ۚ إِنَّكُمْ إِذًا مِّثْلُهُمْ))
“…mos rrini me ata derisa të mos hyjnë në bisedë tjetër. Përndyshe, ju do të jeni si ata.”
Rrezik për atë që tallet dhe për atë që e ndëgjon këtë tallje, Allahu na ruajt.
Thotë Allahu:
((وَلَقَدْ قَالُوا كَلِمَةَ الكُفْرِ وَكَفَرُوا بَعْدَ إِسْلَامِهِمْ))
…e në të vërtetë, kanë thënë fjalë të kufrit, dhe pasi patën shprehur besimin ata bënë kufër(dolën nga feja)”[12]
Është obligim për ne si besimtarë, ta luftojmë këtë dukuri, me mundësitë që i kemi dhe tua tregojmë tjerëve se madhërimi i Allahut dhe madhërimi i fesë së tij nuk mundet të bashkohen në zemrën e dikujt me mangësimin e Allahut dhe fesë së Tij.
O ti që je xheloz për fenë tënde dhe e urren këtë krim që bëhet, mësova tjerëve fenë e Allahut dhe çdoherë urdhëro në të mirë dhe ndalo nga e keqja. Na ngushtohet gjoksi dhe na qan zemra për këta fjalë që i thojnë këta kriminel, mirëpo kjo gjendje është e pashmangshme për një njeri i cili don përmirësimin e një shoqërie.
Lusim Allahun të na jep sinqeritet në fjalë dhe vepra, të na merr shpirtrat si musliman dhe duaja jonë e fundit është: Hamdi i takon vetëm Allahut!

Përgatiti: Ali Ashani


[1] En-Nisa 4:65
[2] El-Ahzab 33:36
[3] El-Bekare 2:285
[4] El-Bekare 2:93
[5] El-Enfal 8:2
[6] Tirmidhi
[7] Et-Teube 9:79
[8] El-Mutafifin 83:22
[9] En-Nisa 4:140
[10] Et-Teube 9:65
[11] El-Ea’raf 7:82
[12] Et-teube 9:74

No comments:

Post a Comment